Mendimi im rreth përgjimeve: intervistë në gazetën Dita

Intervista gazeta Dita RS July 2015
Një intervistë në gazetën Dita në kuadër të publikimeve që tregonin interesin e qeverisë për shërbimet e Hacking Team, një komanie që sipas zbulimeve ofron dhe ka ofruar programe kompjuterike që i lehtëson qeverive të ndryshme përgjimet masive. 
Në qoftë se dëshiron më tepër informacion rreth zbulimeve hidhi një sy wikileaks.org/hackingteam/emails/?q=albania para se të lexosh artikuj të njëanshëm në mediat lokale. Artikulli me komentin e Entela Resulit, gazetares së gazetës Dita, mund të lexohet këtu.

Redon, pas vitesh studime jashtë vendit, pse je kthyer në Tiranë?
Fillimisht u ktheva në 2010 për të krijuar një nga kompanitë e para në vend me fokus promovimin online. Pas një shkëputjeje prej disa muajsh në Berlin u riktheva në kuadër të një oferte interesante profesionale që do më mundësonte të përmirësoja sadopak realitetin e vendit ku jetoj dhe punoj.
Konsideroj Elbasanin dhe Tiranën time si një bazë të mirë ku janë të afërmit dhe miqtë e mi, pavarësisht se herë pas here kam nevojë të shkëputem për të evituar agresivitetin e përditshëm që fatkeqësisht na imponohet shumë shpesh.

Kur përballesh me “agresivitetin”, të ndodh të pendohesh që je kthyer?
Tirana ka vështirësi, por në disa raste dhe pozitivitet. Si shumë qytete të rajonit, përfshirë dhe Athinën, është një kryeqytet i zhvilluar në mënyrë kaotike nga ana urbane, pa transport publik, me ndotje të konsiderueshme dhe me një përqindje të lartë të popullsisë që për një arsye ose tjetrën nuk e konsiderojnë akoma “vendin e tyre”.
E thënë kjo, nuk do thosha që jam penduar pasi është ndjesi disi e rëndë, por nuk mund të them që Tirana si qytet nuk ka agresivitet. Shqipëria në përgjithësi më krijon atë ndjesinë e dashurisë intensive adoleshente ku marrëdhënia është si një rrollercoaster në Luna Park: një herë ndjehesh afër qiellit dhe shumë herë të lëshon me shpejtësi poshtë.

A e gjejnë veten të rinjtë në këtë vend, çfarë nuk shkon me të talentuarit këtu?
Nuk besoj shumë tek rëndësia e talentit individual, por tek fuqia që ka shpërndarja e dijes për të na emancipuar të gjithëve me qëllim përfundimtar krijimin e një grupimi të rinjsh të fuqizuar nga mendimi kritik. E thënë kjo, nuk mendoj që me të rinjtë në Tiranë ka diçka që nuk shkon.
Le të jemi të sinqertë, problematika nuk fillon tek të rinjtë, por tek një brez i prindërve të tyre që kanë një perceptim të gabuar të lirisë dhe të dëshirës së fortë për të mos ndryshuar një status quo. Të rinjtë që unë njoh në Tiranë kanë shumë kreativitet dhe dëshirë për të ndryshuar vendin ku jetojnë dhe dua të besoj që me pak ndihmë nga njerëz me më tepër eksperiencë do arrijnë të bëjnë ndryshimin.

Redon, jeni konsulent për çështjet e teknologjisë, keni punuar edhe në institucione shtetërore. Këto kohë është folur në lidhje me përgjimet masive. Sa e besoni këtë gjë, kujt i intereson përgjimi masiv?
Fatkeqësisht debati është hapur vetëm nga media që kanë interesa të kundërta me interesat e qeverisë aktuale, gjë që i heq kredibilitetin çdo debati dhe minimizon interesin e shoqërisë civile për një nga çështjet më serioze që lihet drejtpërdrejtë me funksionin e demokracisë tonë. Pra, në këtë moment mund të konsiderojmë që nuk ka debat dhe nuk është ushtruar presioni i duhur për këtë çështje nga publiku. Akoma më shqetësues është pasiviteti i opozitës, e cila nuk ka kërkuar më tepër informacion rreth çështjes nga qeveria. Në të njëjtin moment që interesi për monitorimet zbehet, ne si anëtarë të një shoqërie që duam ta quajmë demokratike, harrojmë që përgjimi masiv i intereson grupimeve që nuk kanë interes të ketë ndryshime në linjat e pushtetit. Duhet të theksojmë këtu që informacioni është një armë e përdorur tashmë shumë herë prej qeverive që nuk dëshirojnë cenimin e interesave të tyre.

SHISH ka kryer negociata me një kompani që quhet Hacking Team. E njihni ju këtë kompani, ç’mund të na thoni?
Hacking Team është një kompani e njohur fillimisht gjatë vitit të kaluar ku dhe është akuzuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për shitje të sistemeve monitoruese kundrejt qeverisë së Sudanit për rreth 960.000$, në kundërshtim me rregullat e imponuara nga OKB për mos importim të armëve drejt qeverisë së Sudanit. Paralelisht ka pasur publikime të ndryshme rreth marrëveshjeve financiare të kompanisë në fjalë dhe qeverive që nga bota perëndimore konsiderohen si jodemokratike. Lista e plotë e institucioneve qeveritare që kanë pasur marrëdhënie tregtare me Hacking Team gjendet lehtësisht në en.wikipedia.org/wiki/Hacking_Team#Customer_List. Padyshim duhet që minimalisht të shqetësohemi për faktin që vendi mund të kishte qenë potencialisht në të njëjtën listë me shërbime qeveritare të vendeve që nga OKB janë akuzuar për nivel të ulët të demokracisë dhe lirisë së fjalës. Fatkeqësisht nuk ka asnjë reagim serioz për momentin në vendin tonë dhe shpresoj që vendimmarrësit të mos kenë proceduar me blerjen e sistemeve të tilla monitorimi pasi të kenë reflektuar mbi cenimin që i bëhet lirisë themeltare në privatësinë tonë.

Por a ekziston mundësia që këto pajisje t’i blejnë dhe individë apo kompani private?
Duke parë listën e klientëve të Hacking Team krijohet dyshimi që programet kompjuterike në fjalë kushtojnë shumë pasi dhe klientët kryesorë të kompanisë janë qeveri me buxhete të larta. Ajo që ndodh në shumë raste është që individë të ndryshëm paguajnë zhvillues dhe crackers që gjenden lehtësisht online për të përfituar në mënyrë të paligjshme të dhënat personale të individëve të ndryshëm për qëllime personale ose komerciale. Në rastin e Hacking Team shqetësimi buron nga fakti që vetë qeveria kërkon të monitorojë qytetarët në mënyre masive, gjë duhet të na shqetësojë si qytetarë.
Në çdo rast duhet të jemi të kujdesshëm për materialet që shkëmbejmë në formë elektronike.

Redon, thuhet se kur na kthehet zëri në telefon, apo kur na nxehet bateria, telefoni jonë po përgjohet, sa domethënëse janë këto shenja?
Në të vërtetë këto janë disa nga shenjat që mund të tregojnë që telefoni juaj përgjohet, por nuk mund të jemi plotësisht të sigurt. Në shumë raste mund të jetë dhe pajisja e telefonit tonë që mund të jetë problematike ose sinjali i dobët që mund të jetë shkaku për fenomene të tilla. Duhet të jemi të kujdesshëm për sa i përket dyshimeve për një monitorim potencial, nga ana tjetër duhet të ruajmë me çdo kusht të drejtën themelore të privatësisë individuale. Hapi i parë është sigurisht informimi i secilit për çështje të tilla dhe kontrolli i vazhdueshëm i qeverive për të evituar monitorim masiv.

Sipas jush, sa të përgjuar jemi ne dhe pse duhet të na përgjojnë?
Në qoftë se bazohemi tek publikimet e Edward Snowden komunikimet elektronike në internet janë monitoruar masivisht në nivele që është e vështirë të imagjinojmë. Asnjë dhe askush nuk ka drejtën të na përgjojë masivisht, por vetëm në raste kur pushteti ligjzbatues ka dyshime serioze për akte kriminale. Por përgjimi masiv nuk mendoj që duhet të jetë i tolerueshëm pasi na kthen në periudha të errëta të historisë së politikëbërjes në Shqipëri dhe në Evropë.

New ImagePër çfarë mund t’i përdorin të dhënat tona?
Informacioni është burim pushteti dhe në shumë raste mund të përdoret për të luftuar zërat që janë kundër pushtetit qendror dhe lokal. Që nga skandali Watergate gjatë periudhës së Presidentit Nixon dhe deri tek Edward Snowden, mbledhja masive e informacionit për një ose me tepër grupime sociale ka vetëm një qëllim: përdorimin e informacionit kundër kundërshtarët politikë. Që të mos përtëritemi: mbledhja e paautorizuar e të dhënave konsiderohet nga çdo vend demokratik si një akt i dënueshëm dhe në kundërshtim me interesin e publikut të gjerë. Theksoj këtu termin “përgjim masiv” pasi ka ndryshim nga përgjimi i personave që dyshohen për akte kriminale.

Çfarë rrezikojmë nga përgjimi?
Është vërtetuar historikisht që përgjimet masive janë një luftë e hapur me demokracinë e një vendi pasi është në kundërshtim me kushtetutën e shumë vendeve që duan të konsiderohen demokratike. Çdo aktivizim i praktikave të tilla kërkon fillimisht reflektim nga qytetarët, llogaridhënie dhe mbi të gjitha transparencë. Nga ana tjetër shumë shpesh dëgjohet argumenti: në qoftë se nuk kemi diçka për të fshehur atëherë nuk duhet të kemi frikë nga përgjimet.
Le të imagjinojmë që në një moment kemi një regjim totalitar që sulmon të gjithë besimtarët e një feje, ose qytetarët që kanë karakteristika specifike. Imagjinoni se sa e lehtë do ishte për këtë regjim që të përdorë të dhënat e përgjimeve masive për të sulmuar një nga grupimet e lartpërmendura. Ju kujton diçka ky skenar?

Redon, sa e ka cenuar teknologjia jetën tonë, komunikimin më të tjerët, privatësinë tonë?
Zhvillimet teknologjike vetëm gjëra pozitive mund të na sjellin, mjafton që të jemi të kujdesshëm dhe të ndërgjegjshëm për rreziqet potenciale. Sigurisht që mënyra se si punojmë dhe argëtohemi ka ndryshuar disi, por ndryshimi në vetvete nuk është detyrimisht një fenomen negativ, e kundërta. Mund të kuptojmë më mirë këtë fenomen nëpërmjet shembullit të përdorimit të thikës: mund të përdoret çdo ditë për të na ndihmuar gjatë procesit të gatimit. Nga ana tjetër, thika mund të përdoret dhe nga individë për akte të dhunshme. E njëjta gjë ndodh dhe me teknologjitë e reja që shtohen çdo ditë. Kemi përgjegjësinë që të përdorim teknologjinë në mënyrën e duhur dhe paralelisht kemi detyrim moral që të edukojmë dhe brezat e ardhshëm për këtë çështje.

Sa e interesuar është një qeveri që të ketë informacion me anë të përgjimeve për popullin e saj?
Kam frikë se për nivelin e interesit do duhet që të na informojnë shërbimet qeveritare përgjegjëse. Fatkeqësisht vende si SHBA, Rusia, Turqia etj. janë akuzuar shumë herë për përdorimin e praktikave të përgjimeve elektronike në shërbim të interesave të tyre gjeostrategjike. Kufiri i ligjshmërisë dhe etikës në raste të tilla është disi i paqartë, por një gjë është e sigurt: përgjimet masive janë shumë më të ndryshme se përgjimet që i imponohen procedurave ligjore. Siç e përmenda më lart është vërtetuar historikisht që përgjimet masive i kanë interesuar gjithnjë qeverive që nuk kanë pasur qëllim parimor funksionimin e lirisë së fjalës dhe demokracisë së një populli. Ka shumë zëra që paralelizojnë përgjimet masive të përshkruara nga Edward Snowden me atmosferën e librit “1984” të George Orwell ku përshkruhet një shoqëri ku “Vëllai i Madh” ndjek dhe monitoron çdo lëvizje dhe rrezik potencial kundër pushtetit. Sinqerisht shpresoj që vepra më e njohur e Orwell të mbetet vetëm një realitet utopik me karakter artistik.

Në dijeninë tuaj qeveria e mëparshme sa e ka përdorur metodën e përgjimit?
Nuk bëhet fjalë për qeverinë Berisha, qeverinë Nano, apo qeverinë Rama. Do ishte gabim fatal në qoftë se fokusohemi në një qeveri specifike pasi problemi është fillimisht parimor. Në përgjithësi kam tendencën të besoj që të gjitha qeveritë dhe njerëzit me pushtet flirtojnë me idenë e kontrollit të zërave që i kundërshtojnë. Fatkeqësisht, gjatë 25 viteve të fundit, në parlament janë dhënë herë pas here informacione personale për kundërshtarë politikë, gjë që mund të jetë produkt i përgjimeve ose thjesht një trillim i rastit. Në asnjë rast nuk mund të jemi të sigurt për diçka të tillë.

Cilat janë format e përgjimit, nëse mund të na përmendini disa?
Sipas dokumenteve të publikuara nga Edward Snowden, ish nën-kontraktori i National Security Agency (shkurt NSA), agjencia ku ai punonte bëhej mbledhje masive e të dhënave personale nga shërbime email online si Gmail, Yahoo, biseda chat në platformën Gtalk, komunikimet në Facebook dhe shërbimeve të ofruara nga Apple. Bëhet fjalë për përgjimin më të madh masiv në historinë e njerëzimit, po të llogarisim numrin e viktimave si dhe të shkeljes së të drejtave themeltare të njeriut për privatësi. Sigurisht ka dhe mënyra të tjera përgjimi elektronik më pak të sofistikuara, por fenomeni Snowden është rasti më ekstrem i përgjimit elektronik. Nuk mund të mos përmend këtu dhe mbulimin e zbehtë dhe në shumë raste me gabime të lajmit nga mediat dhe gazetarët në vendin tonë, gjë që vështirëson informimin e qytetarëve rreth formave të përgjimit.

Sa të mbrojtur janë të dhënat sensitive të qytetarëve nga hackerat apo shërbimet inteligjente armike të Shqipërisë?
Termat hacker dhe cracker kanë ndryshime dhe do ishte mirë që të fillimisht të theksojmë ndryshimet. Hacker konsiderohet një person që mundohet të eksplorojë mundësi të reja përdorimi të një teknologjie jo me qëllim keqdashës. Cracker është një person që përdor dijet e tij për të përfituar informacione që mund të shkaktojnë dëme serioze materiale ose financiare një individi, institucioni ose kompanie.
Që t’i rikthehemi pyetjes, sinqerisht nuk e di se sa të mbrojtur jemi pasi në këtë moment nuk kemi informacion të plotë nga shërbimet qeveritare për përfshirjen e qeverisë Shqiptare (aktuale dhe të mëparshme) në monitorim masiv të qytetarëve. Dhe këtu sërish vjen roli i mediave që duhet të funksionojnë si një mekanizëm fuqizues i llogaridhënies dhe transparencës së pushtetarëve dhe i informimit të qytetarëve rreth çështjeve të tilla.

Çfarë duhet të bëjmë që të mos përgjohemi apo duhet të ecim me shpresën se të dhënat tona nuk do të keqpërdoren?
Para fillimit të Luftës se Dytë Botërore, qytetarët gjermanë besonin që nazistët nuk do implementonin plotësisht vizionin e tyre. Ky është ndoshta shembulli më i mirë që duhet të na kujtojë vazhdimisht detyrimin moral që kemi për të mos marrë si të mirëqenë qëllimet e drejtuesve. Vegla më e mirë dhe më praktike kundër abuzimit me përgjimet masive është shpenzimi i energjive në nivel personal dhe më gjerë për fuqizimin e mekanizmave që kontrollojnë cilësinë e demokracisë në vendin tonë si dhe informimi i vazhdueshëm për mbrojtjen e privatësisë.

A vlen pyetja: cili është celulari me i sigurt që nuk përgjohet, po programi kompjuterik më i sigurt?
Ashtu si nuk ka një shtëpi që është 100 për qind e sigurt nga keqbërësit dhe pajisjet elektronike nuk janë plotësisht të sigurta. Megjithatë nj​ë nga mënyrat që e bëjnë të vështirë përgjimin masiv është përdorimi i programeve të lira (të lira në liri dhe jo të lira në çmim) dhe me burim të hapur (free libre open source), si Linux, shfletuesi TOR (i bazuar në teknologjinë e Mozilla Firefox), enkriptimi i email-eve, përdorimi i Thunderbird, platforma LibreOffice etj. Programe të tilla mund të përdoren në laptop, kompjuter, telefona celularë ose/dhe tableta duke ofruar një nivel të lartë sigurie. Sigurisht, asnjë program kompjuterik nuk mund të na mbrojë për sa kohë nuk jemi të kujdesshëm si individë me fjalëkalimet dhe nuk informohemi vazhdimisht rreth rëndësisë së mbrojtjes së privatësisë.

One Comment on “Mendimi im rreth përgjimeve: intervistë në gazetën Dita

  1. Pingback: “Gaining a Digital Edge: Freedom of Expression” conference in Belgrade | redon.skikuli.com

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *